Veshja, pushteti i heshtur që na sundon
Buzëqeshje që rrezaton energji. Shikim i drejtpërdrejtë që përçon respekt dhe besim. Kostumi që ka veshur ka të njëjtën ngjyrë me atë të syve të saj: të zezë të errët. Kështu prezantohet Rachida Dati, ministrja franceze e Drejtësisë: stili i saj është i veçantë dhe elegant, gjë që përshtatet plotësisht me stilin që ofron "Prada", marka e saj e preferuar e çantave. Një tjetër franceze si Cecilia Sarkozy, bashkëshortja e Nikolas Sarkozy ka një stil po aq të veçantë sa ministrja e Drejtësisë. Në listën e femrave të cilat vishen me klas, renditen emra të femrave shumë të pushtetshme. Këto të fundit shikohen me zili nga pjesa tjetër e femrave. Kohët e fundit, luku i pushtetareve ka dalë në pamje të parë. Pushteti që ofron veshja është i padiskutueshëm. "Një femër në karrierë mund të identifikohet lehtësisht nga veshja e saj karakteristike". Një stil krejt i ri, i cili i përket një epoke të re.
Tani më janë venitur kostumet me ngjyrë të kuqe të ndezur, të cilat përdornin sekretaret, apo prerja shumë e rregullt e kostumeve të shefeve "zevzeke". Kryesuese e gardërobës së grave në karrierë janë kostumet serioze të ndërthurur me materiale cilësore, si dhe me modele të kohës. Firmat, të cilave mund t‘u besosh krijim e stilit individual janë të shumta në numër. Mjafton të shikosh modelet e tyre paraardhëse për të vendosur nëse stili i tyre përshtatet me atë individual. "Givenchy", "Chloe", "Balenciaga" ose "Burrbery" janë disa nga firmat që u përshtaten zonjave të hekurta duke qenë se ofrojnë modele serioze, por edhe të kohës, ndërthurur me elementin klasik, i cili duhet të jetë gjithmonë i pranishëm. E njëjta gjë vlen jo vetëm për kostumet me pantallona apo me fund, por edhe për aksesorët ndihmës: si çantat, të cilat duhet të kombinohen me ngjyrën e këpucëve, stolitë e deri te krehja e flokëve, e cila duhet të përshtatet me veshjen. "Ka ikur koha e imazhit perfekt, si të një kukulle. Estetika duhet të rindërtohet në strukturë", shkruan revista "New York", duke e ilustruar shembullin e tij me modelet që ofron "Calvin Klein": forma të rregullta, ngjyra jo shumë të ndezura.
Në Britaninë e Madhe, ikona e femrës së pushtetshme është Margaret Thatcher, si dhe ish-rebelja Stella Mccartney. "Dëshiron të jesh e kohës? Përshtatu", tregon stilisti amerikan Marc Jacobs. Jacobs është i njohur për veshjet e tij shik, të cilat gjejnë përshtatshmëri si për sekretaret e thjeshta e deri te menaxheret e Wall Street-it. "Pushteti i veshjes është stili i vetëm, i cili mund të bëjë të dukesh shumë femërore dhe e pushtetshme në të njëjtën kohë", tregon Stefano Pilati, drejtuesi kreativ i Yves Saint Laurent, shtëpia e modës e cila për sezonin vjeshtë-dimër është frymëzuar nga modelet e viteve ‘80: xhaketa, këmisha, pantallona dhe funde ngjyrë të zezë. "Nuk ka gjë më seksi se një femër e veshur shik me kostum me pantallona, si dhe me një palë sandale të larta", tregon Frida Giannini, stiliste e "Gucci"-t.
Është i njohur stili uniseks i këmishave të Christiane Amanpour, eleganca e padiskutueshme e Tina Brown, stili i Cynthia Caroll, shefja ekzekutive e "Anglo American", e cila renditet në listën e femrave më të pushtetshme, sipas "Forbes", duke kaluar në stilin e pandryshueshëm të kancelares Merkel, kostumet ngjyrë gri të kilianes Michelle Bachelet e deri në kostumet e argjentinases Cristina Kirchner, e cila bie në sy për shkak të trukut të fortë. Për të vazhduar më tej me: stilin e Indira K. Nooyi, shefes ekzekutive të "Pepsi Co Us", stili thuajse puritan i Tzipi Livin-it ministres së Jashtme izraelite. "Do të kisha dëshirë të vishesha me një palë xhinse dhe këpucë të ulëta për t‘u ndjerë komode, por, në fakt, duhet të vishem shik dhe me taka të larta për të respektuar vendin e punës", tregon Livni.
"Edhe një herë, femrat janë në kërkim të një rrugë të mesme, e cila nxjerr në pah feminilitetin e tyre, por edhe karrierën që dëshirojnë të bëjnë", tregon Marino Niola, pedagog i Antropologjisë Kulturore në Institutin Universitar "Suor Orsola Benincasa" në Napoli. Shpeshherë gratë përdorin një stil mashkullor në veshjet e tyre, duke qenë se meshkujt përfaqësojnë pushtetin dhe duke u veshur në këtë mënyrë ato mendojnë se mund të imponojnë autoritet. Sigurisht që nuk duhet ta teprojmë, por në të njëjtën kohë, një femër e cila paraqitet me një dekolte të hapur dhe seksi nuk mund të synojë pushtetin. "Nuk mund të krijosh përshtypje të mirë nëse ke veshur shapka me gisht", nënvizon "Haper‘s Baazar".
"Feminiliteti duhet të ekzistojë mbi të gjitha. Vitet ‘40 përfaqësohen me dy tendenca: stereotipi i femrës fatale ose i engjëllit epshndjellës. Në kohët e sotme duhet të bëhet një balancim i të dyja këtyre tendencave", vazhdon Niola.
Gratë e pushtetshme bëhen menjëherë subjekt bisedash apo lajmesh televizive për shkak të një pakujdesie të rastit: gazetarja e BBC-së, Emily Mailtis, bëri bujë në media për shkak të kryqëzimit të këmbëve gjatë një emisioni televiziv, kopsa e këmishës së Hilary Clinton u bë menjëherë objekt mediatik, pasi ishte e hapur më shumë se ç‘duhej. Një grup pune punon vetëm për imazhin e Hilary Klintonit, e cila synon që në zgjedhjet e ardhshme të marrë presidencën e SHBA-së. Sipas të dhënave tregohet se, Clinton ka një këshillues stolish, i cili e këshillon atë se çfarë varësesh duhet të përdorë me secilin kostum.
"Clinton po imponon një mënyrë konservatore në veshje", thekson Lucia Ruggerone, pedagoge e Sociologjisë në universitetin e Milanos, si dhe bashkautore e librit: "Çfarë mode?".
Veshja përfaqëson strategji komunikimi. Mund t‘ju sjellim ndërmend kostumet e Condolezza Rice, të cilat shprehin vendosmëri: një model klasik, elegant dhe ngjyra të errëta. "Mendimi i ri i trupit", sipas filozofit Giacomo Marramoa, është tentativa për të krijuar një lidhje mes trupit dhe mendjes, e cila pasqyrohet në veshjet e reja në gardërobë. Kjo do të jetë një mënyrë më origjinale, e cila do të tregojë stilin individual të çdo femre. Ajo gjë që kemi vënë re gjithmonë është se kur një femër fillon punë në një dikaster, fillon të përdorë veshje të cilat i afrohen atyre mashkullore, kjo për të bërë përshtypje të mirë në staf duke qenë se përshtypja e parë është shumë e rëndësishme. Vishen me ngjyra neutrale ose të errëta: blu, të zezë, gri dhe bezhë. Në lidhje me këtë gjë, Balduçi tregon: "Është gabim shumë i madh që t‘i përdorim rrobat si uniformë. Femrat duhet të përdorin sa më shumë ngjyra, sepse ajo u jep atyre liri në të menduar dhe të shprehur".
Prej kohësh "Armani" prezanton një stil shumë femëror dhe autoritar. Si mund të vishet sot një femër e pushtetshme?
Stili është ose jo koherent. Gruaja e pushtetshme sot nuk ka asgjë të përbashkët me protagonisten e "Një femre në karrierë". Kur për herë të parë dizajnova "Dress for success"(Veshje për të pasur sukses), i dhashë jetë një femre të cilën e pagëzova si femra Armani: klasike dhe të veçantë. Koha në të cilën jetojmë na lejon të eksperimentojmë në të gjitha mënyrat me veshjen, sigurisht duke iu përmbajtur normave.
Kuptimi i këmishës për ju? Duhet të jetë gjithmonë e pranishme në gardërobën femërore?
Jo se është detyrim, por mund të jetë një zgjedhje e mirë për të gjitha ato femra të cilat e kanë kohën e kufizuar. Stili që unë prezantoj është këmishë tip busti me pantallona. Ky kostum të krijon idenë e prakticitetit dhe në të njëjtën kohë të seriozitetit.
Ngjyra e zezë duhet të jetë në plan të parë?
E zeza është në modë. Është ngjyrë që prezanton klasin, por në të njëjtën kohë është edhe dramatike. Mendoj se kjo ngjyrë është më e përshtatshme të vishet në ditët në të cilat bëhet një mbledhje e rëndësishme. Ju këshilloj të përdorni blunë e errët dhe grinë e thellë. Autoriteti krijohet vetëm nga mendja jo ndryshe.
Ndryshoni veshjen, për të ndryshuar botën
Hilary Clinton dëshiron të jetë presidentja e parë femër në historinë amerikane. Ka një buzëqeshje të ëmbël, si dhe një vullnet të hekurt. Një veshje që i përshtatet shumë dhe që e bën të duket unike: kostum dhe një këmishë të bukur. Në vitet ‘80, kostumi i pushtetit të jepte autonomi dhe autoritet.
Marisa Bellisario, shefja e parë ekzekutive e një shoqërie të madhe italiane (Italtel) krijoi lukun "e shenjtë": pantallona klasike, krehje flokësh punk dhe shikim i drejtpërdrejtë, me pak fjalë një luk perfekt.
Të ndryshosh botën, do të thotë të ndryshosh edhe veshjen.
Një kostum mund të jetë një lloj uniforme. Në të njëjtën kohë është i vërtetë fakti se një trup i zhveshur nuk mund të "dialogojë" me një trup të veshur mirë. Kështu që për të gjitha femrat e vendosura, një brez i ri stilistësh si Marc Jacobs dhe Stafano Pilatio, riprodhojnë Power Suit (Kostumi i pushtetit), e cila ruan mëngët e gjata që e bëjnë veshjen më serioze, si dhe nuk lënë hapësirë për paragjykime të kota.